Policia e Shtetit ka dhënë detaje për ngjarjen e një nate më parë në Selitë, ku iu bë atentat 41-vjeçarit Zamir Kalemit. Autoritetet thonë se rasti ka lidhje me ngjarje të rëndë kriminale, të ndodhura më parë në Shqipëri dhe Greqi.
Në këto kushte, blutë kanë ofruar një shumë prej 15 mijë eurosh për cilindo person që jep informacion për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Nga verifikimet targat e automjetit të përdorura nga autorët, janë vjedhur në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri rezulton i vjedhur në Greqi në shkurt të 2023.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, më datë 12.01.2024, ju informojmë se: Më datë 12.01.2024, rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Zamir Kalemi, i vitlindjes 1983, si pasojë ky shtetas ka marrë disa plagë me armë zjarri, dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer veprimet e nevojshme procedurale, ka këqyrur vendin e ngjarjes, ka këqyrur vendin e djegies së automjetit të përdorur nga autorët, ka sekuestruar provat materiale, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon këqyrjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes.
Aktualisht grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme për hetimin.
Nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY6650, i cili rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13.02.2023.
Nga analiza e rrethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro, dhe informacioni mund të jepet në numrin +355694111546, duke garantuar anonimatin e çdo telefonuesi. Informacione më të detajuara do të japim për mediat dhe për publikun, në vazhdim të hetimeve.