Tiranë, 3 qershor 2014 – Atentatet e bëra ndaj ish kreut të CEZ-it e kanë zanafillën tek ngjarja e 13 marsit të vitit 1997, ku Viktor Skeja së bashku me 6 persona të tjerë dyshohet se janë përfshirë në një vjedhje me armë të bankës së qytetit të Laçit. Por, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se jo të gjitha gjërat kanë shkuar sipas planifikimit, pasi lekët e grabitura nuk janë ndarë në mënyrë të barabartë mes 6 pjesëtarëve të grabitjes dhe kjo gjë ka çuar në prishjen e marrëdhënieve mes tyre, gjë që do të vihej re më së miri vetëm dy muaj më vonë, kur do të kryhej atentati i parë ndaj Skejës nga autori i dyshuar Gjin Gjini, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”.
Në maj 1997, në vendin e quajtur Sanxhak-Laç, ish-kreu i CEZ-it u plagos me armë zjarri dhe bashkë me të edhe A.K., të cilët udhëtonin në të njëjtën makinë. Në 28 maj të vitit 1997, në qendër të qytetit të Laçit vritet Gjin Gjini, i cili dyshohet se është vrarë nga një person i paguar nga Viktor Skeja. Ky i fundit do të plagosej në shtator të vitit të kaluar në një kazino në kryeqytet, nga dy persona të cilët ende nuk janë identifikuar dhe nuk janë arrestuar. Mendohet nga grupi hetimor, se atentati i një viti më parë ndaj ish-kreut të CEZ-it e ka zanafillën nga viti 1997 dhe konkretisht pas vrasjes së Gjin Gjinit. Madje, grupi hetimor, edhe vrasjen e Skejës e lidh me këtë ngjarje, duke e cilësuar si një vrasje për hakmarrje, për shkak të larjes së hesapeve të vjetra.
Burime nga Struktura për Krimet e Rënda në Policinë e Tiranës ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 13 persona për të dokumentuar dhe zbardhur këtë ngjarje deri në kapjen e autorëve që qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të 47-vjeçarit.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 10 copë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, dy predha të deformuara dhe një këmishë predhe. Viktima dyshohet se është me precedentë të theksuar kriminalë, në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, qenieve njerëzore dhe konflikte të tjera të ndryshme. I vrari njihej me dy emra: Viktor Skeja dhe Armand Gjeta.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





