Gazetari Artan Hoxha ka hedhur dyshimet se ekziston mundësia që në atentatin e tretë ndaj Ardian Çapjas, ta kenë bërë ish-komando të forcave speciale.
I pranishëm në studion e AbcNews, Hoxha tha se paga që marrin forcat speciale brenda një jave nga një grup kriminal, e kalon rrogën e një viti në shtet, dhe sipas tij kushtet financiare bëjnë që këta ish-komando të paguhen për atë që dinë të bëjnë më së miri, qitjen.
Gazetari shtoi se në Shqipëri, nuk është hera e parë që përdoret një ish-komando dhe deklaroi se shumë ish-anëtarë të forcave speciale janë vënë në kërkim për disa ngjarje të bujshme, pa përmendur emra.
“Ka ndarje vetë brenda komandove. Në këtë lloj atentatësh snajperistët janë jo të zakonshëm, janë të mirëstërvitur dhe me shumë mundësi ish-komando. Kujtojmë ngjarjen e Kastriot Reçit, u godit në distancë dhe ne sot jemi pa autorë. Është ngjarja e vështirë. Nëse i kthehemi ngjarjes së sotme, vëmë re se në Shqipëri janë zyrtarisht në kërkim ish-komando që kanë marrë pjesë në ngjarje të ndryshme kriminale, dhe kjo e sotmja…..se njerëzit kur dëgjojnë RENEA mendojnë se janë nja 500 veta, por në fakt janë shumë pak. Në Shqipëri kemi shumë pak forca speciale dhe e gjej të pavend që këta njerëz të forcave speciale që sakrifikojnë veten e vet, familjen dhe shqiptarët kanë shpenzuar miliona lekë për t’i stërvitur…. Ata janë një armë. Nuk janë thjesht një qenie njerëzore. Ai është një armë e stërvitur dhe atë punë di të bëjë, nuk bën gjë tjetër. Kur ngelet pa përkrahje bën dhe gjëra të tjera….e kuptoni ju sa mund të marrë një komando nga një ngjarje e tillë. Sa ç’merr gjithë vitin e merr nga një grup kriminal për një javë. Atentate të tilla kanë kosto të shumta. Objektivi ishte i vështirë, Ardian Çapja ruhej, ishte i mbrojtur. Është drejtuesi i një familjeje që ka një histori të gjatë, me dy dekada përplasje.
Atentati tjetër më i afërt që iu bë ishte nga ana e shtëpisë së fqinjit. Gjetën një makinë identike si të fqinjit dhe e klonuan, për ta futur në veprim. Ata e kanë studiuar dhe kanë vëzhguar orët kur del nga shtëpia. Autorët ishin nga veriu i Shqipërisë, dyshohet ish-anëtarë të forcave speciale, ish-komando, të paktën qitësi. Edhe në atentatin e dytë, qitësit bënë një gabim. Harruan që ngjitur me shtëpinë e Çapjas ishte një servis dhe punëtori aty reagoi shpejt,”– tha Hoxha.





