Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetin social X, ku i ka bërë homazh aktivistit konservator Charlie Kirk, duke e përshkruar si një “mik të vërtetë” dhe një “familjar të shkëlqyer”.

Në postimin e gjatë, Vance kujton fillimet e miqësisë së tyre, që sipas tij nisi në vitin 2017, pas një paraqitjeje të tij në emisionin e Tucker Carlson në Fox News. “Një emër që mezi e njihja më dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë dhe më komplimentoi. Ishte Charlie Kirk, dhe ai moment mirësie filloi një miqësi që zgjati deri më sot”, shkroi ai.

Vance e përshkroi Kirk si një njeri të hapur ndaj ideve dhe të gatshëm për të mësuar. Ai kujtoi gjithashtu se të dy kishin qenë skeptikë ndaj Donald Trump në vitin 2016, por më vonë e kishin parë atë si një figurë të domosdoshme për të ndryshuar drejtimin e politikës amerikane.

“Charlie ishte i magjepsur nga idetë dhe gjithmonë i gatshëm të mësonte dhe të ndryshonte mendje. Ashtu si unë, ai ishte skeptik ndaj Donald Trump në vitin 2016. Por ashtu si unë, ai filloi ta shihte Presidentin Trump si të vetmen figurë të aftë për ta larguar politikën amerikane nga globalizmi që kishte dominuar për të gjithë jetën tonë. Jam në disa biseda në grup me Çarlin dhe njerëzit me të cilët ai më prezantoi gjatë viteve. Festojmë dasma dhe lindje, i bëjmë ballë njëri-tjetrit dhe vajtojmë humbjen e të dashurve. Bëre një garë të mirë, miku im. E kuptuam”, tha ai.