5 kaseta filmike ka sekuestruar prokuroria e Durrësit për vrasjen e ndodhur në zemër të qytetit bregdetar, 48 orë më parë. “Është spekulim nga ana mediatike, që nuk ka filmime për të zbardhur ngjarjen”, pohuan burimet zyrtare nga Prokuroria e Rrethit Durrës. Të gjitha filmimet e sekuestruara nga subjekte të ndryshme, ku pretendohet se janë filmuar viktimat para atentatit dhe pas tij, por edhe autorët e dyshuar para dhe pas krimit në arratisje, janë duke u verifikuar nga policia shkencore në laboratorin qendror në Tiranë.

“Pamjet e sekuestruara në disa pika të rrugës “Egnatia”, do të shikohen, verifikohen, e pastrohen, do të studiohen mirë, sepse policia shkencore ka edhe mjetet e duhura për ta bërë këtë, para se të dilet në një konkluzion përfundimtar. Nuk mund të flitet apriori, dhe nuk mund të spekulohet, ndërsa vijojnë hetimet”, pohoi Sokol Nishani, zëvendësprokuror i rrethit Durrës i pyetur nga “DurrësLajm”. Zëvendësprokurori i rrethit Sokol Nishani ka qenë në vendngjarje pak minuta pas vrasjes, duke bërë edhe grumbullimin e provave me krimin. 

Janë marrë në pyetje rreth 50 persona, por asnjë prej tyre nuk ka dhënë informacione që mund të çojnë hetuesit drejt një piste hetimi. “Nuk kemi një pistë hetimi, nuk kemi të evidentuar në çfarë konfliktesh ishte i përfshirë shënjestra Ervin Kodra, 33 vjeç nga Durrësi, sepse as nga familja e tij, nga rrethi shoqëror apo miqësor të marrë në pyetje nuk kanë treguar apo nuk kanë ditur se në çfarë konfliktesh ishte i përfshirë i riu”. Çështja është që në një situatë të tillë, hetuesit kanë ngritur pista dyshimi, për shkak se 33-vjeçari ka qenë i skeduar nga policia për trafik droge dhe krim kundër personit.

Pistat kryesore të hetimit janë larje hesapesh midis bandash, pazar i prishur droge, por nuk përjashtohet mundësia që dy të rinjtë të jenë vrarë edhe për ndonjë arsye  banale. Për prokurorinë e Durrësit, nuk përjashtohet mundësia që ekzekutorët të jenë vrasës me pagesë, nisur nga precizioni i krimit.

Ervin Kodra është konsideruar deri tani shënjestra e atentatit, kurse për 25-vjeçarin vlonjat po hetohen lidhjet e dajës së tij, tregtar në Tiranë, më të cilin ishin në kafe pak minuta para atentatit mafioz. Burime nga policia bënë  me dije se Endri Çaushaj vazhdonte masterin në kryeqytet, ku jetonte prej gati 10 vjetësh, dhe këtë të diel ai do të kryente ceremoninë e fejesës në Vlorë.

K.H.