6 gusht 2015 – Mbetet në burg 29-vjeçari Julian Shorja, pas masës së sigurisë që dha këtë të enjte Gjykata e Tiranës, ndërsa për 26-vjeçaren R. Toma u caktua ‘detyrim paraqitjeje’.
Dy të rinjtë dyshohen se po përgatisnin skemën e vrasjes së një emigranti shqiptar, i cili sapo kishte ardhur në Shqipëri, duke kryer kështu porosinë e marrë nga dy shtetasit M. A., dhe Sh. P.,, të cilët ende nuk janë arrestuar.
Julian Shorja ka rrëfyer në polici se ai nuk e njeh personin që do ekzekutonte, madje ka shtuar se nuk i dinte as emrin dhe as motivin se përse duhej ta vriste, pasi dy porositësit nuk i kishin dhënë shumë detaje. Ai ka thënë se e kishte parë vetëm në një fotografi emigrantin, ndërsa 10 mijë eurot i ishin premtuar se do t’i merrte pasi të kryente punën.
Ndërkaq, Policia e Tiranës është duke hetuar të gjitha pistat e mundshme se përse do të kryhej ky atenat me porosi të dy shtetasve M. A., dhe Sh. P., të cilët janë shpallur në kërkim.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





