Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha të dielën se personi i dyshuar që qëlloi me armë zjarri oficerin e lartë të inteligjencës ushtarake ruse, Vladimir Alexeyev, në Moskë, është ndaluar në Dubai dhe i është dorëzuar Rusisë.
Gjeneral-lejtnant Vladimir Alexeyev, zëvendëskreu i GRU-së, shërbimit të inteligjencës ushtarake të Rusisë, u qëllua disa herë në një pallat banimi në Moskë të premten. Sipas mediave ruse, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas sulmit.
FSB njoftoi se një shtetas rus me emrin Lyubomir Korba u ndalua në Dubai, i dyshuar për kryerjen e sulmit me armë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Ukrainën se qëndron pas atentatit të dështuar, duke thënë se ai kishte për qëllim sabotimin e bisedimeve të paqes. Por Ukraina deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me sulmin.
Eprori i Alexeyevit, Admirali Igor Kostyukov, kreu i GRU-së, ka udhëhequr delegacionin rus në negociatat me Ukrainën në Abu Dhabi, që kanë të bëjnë me aspektet e sigurisë të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.





