Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, foli sot në Kuvend edhe për atentatin ndaj Benard Ndrecës, kreut të ‘Rithemelimit’ në Vaun e Dejës.

Gjatë fjalës së tij Balla tha se kjo ngjarje duhet hetuar dhe zbardhur, por nuk e bën politika policinë dhe prokurorinë, duke ju referuar këtu ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas tij Berisha është i pari që del të bëjë denoncuesin, prokurorinë, gjyqtarin dhe policinë, sa herë që do të ndodhë një ngjarje.

“Më lejoni që të jap një konstatim, se sa herë që ndodh një ngjarje, i pari që del të bëjë denoncuesin, prokurorin, gjyqtarin, policin, është Sali Berisha. E ka bërë këtë në të gjitha rastet. Edhe në 12 shtator 1998, që sapo kishte ndodhur një ngjarje e rëndë, doli dhe ngriti akuzën asokohe akuzonte kryeministrin e asaj kohe të PS-së, Fatos Nanon dhe faktet treguan se ishte komplet një histori tjetër. Ku vetë ky personi që bën akuzuesin, ishte një ndër personat e lidhur që e nxori mikun e tij, bashkëpunëtorin e tij në pritë”, theksoi Balla.

Ndër të tjera Balla ka përgëzuar ministrin e Brendshëm për mospërfshirjen e tij në këtë ngjarje, pasi sipas tij përgjigjen nuk duhet ta japin as institucionet dhe as politikanët.

 “Përgëzoj ministrin e Brendshëm që nuk u përfshi në një përgjigje, pasi përgjigjen duhet ta japin institucionet, nuk duhet ta japin politikanët. E sfidoj Berishën, ka një nen në Kodin Penal: moskallëzimi i krimit dënohet. Zotëria tha se ka emra, të shkojë t’i çojë në prokurori. Por, mos harroni, se kallëzimi i rremë dënohet. Shkoni dhe bëni kallëzimet nëse keni prova, ose në të kundërt prisi dhe mbyllni gojën, se mund të ketë gjëra që s’i dihet”, tha Balla.