Policia e Durrësit ka zbardhur atentatin ndaj policit bashkiak të Shijakut Shpend Lima, i cili mbeti i plagosur më 15 mars, teksa u qëllua me armë zjarri pranë banesës së tij.
Policia njofton se ka zbuluar dhe arrestuar autorin e krimit. Bëhet fjalë për shtetasin Renato Shahini, 39 vjeç, banues në Shijak, i cili u arrit të identifikohej pas një hetimi intensiv disa mujor me metoda speciale.
Ndalimi i tij u bë pasi Shahini, si rezultat i një konflikti për motive të dobëta disa muaj më parë me Limën, ka tentuar ta vrasë me armë zjarri.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Më datë 15.03.2016, në “Lagjen popullore”, Shijak, në afërsi të banesës është qëlluar me armë zjarri ndaj 43-vjeçarit Shpend Lima, punonjës i Policisë Bashkiake Shijak. Lima është qëlluar në pjesën e fundshpinës.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë, të cilët kanë mbledhur provat materiale dhe kanë identifikuar autorin e dyshuar.
Në vijimësi të këtij hetimi, Komisariati i Policisë Shijak në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, më datë 11.05.2016, në lagjen Nr. 13, Plazh, duke ndërhyrë në kohë kanë bërë të mundur parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, ku kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Shpend Lima. Aktualisht Lima ndodhet në dhomat e paraburgimit në IEVP-në e Durrësit.
Gjatë kontrollit fizik, Limës iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë tip Makarovë dhe 6 fishekë.
Uniformat blu e kishin mbajtur nën mbikëqyrje Limën, me qëllim parandalimin e ndonjë ngjarjeje kriminale midis tij dhe shtetasit Renato Shahini, nisur nga atentati i 15 marsit.
Materialet I kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në ngarkim të shtetasit Renato Shahini për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.





