Dy persona kanë mbetur të vrarë sot në një atentat me armë zjarri në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit. Një prej viktimave është ish-shefi i Krimeve të Tiranës, Ervin Dalipaj, i akuzuar për pengmarrjen dhe vrasjen e Gazmend Çollakut.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:55, në afërsi të vendit të quajtur "Mbikalimi i Sukthit", ndërsa viktima tjetër është Xhino Dautaj.

Viktimat janë qëlluar me breshëri plumbash, teksa po udhëtonin me një “Audi” me targa AA 111 OI. Kjo vihet re qartë edhe nga fotot e publikuara nga “DurrësLajm”, ku mjeti duket i bërë shoshë nga plumbat.

Informacioni paraprak i policisë:

Më datë 25.04.2017, rreth orës 13: 55, në afërsi të vendit të quajtur "Mbikalimi i Sukthit" janë vrarë me armë zjarri, shtetasit E.D. dhe Xh.D.

Viktimat kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip Audi.

Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivët e Policisë, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.