Deputeti i opozitës, Halit Valteri në interpelancën e thirrur për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj i kërkoi llogari këtij të fundit në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku.
Valteri pohoi se kishte takuar babain e viktimës, i cili me lot në sy i kishte kërkuar që të shihej çështja në fjalë, që autorët të shkonin para drejtësisë.
“Në këtë sallë ka shumë deputetë që s’e duan vendin. Sot pyesin se ku është Shqipëria. Ajo nuk është më. Ka humbur. Askush nuk e do më atë. Janë vërsulur mbi të si zogu përbindësh që i hante zemrën si Prometeut. Politika gjeneron llum e lidhje me krimin. Pa bashkëpunimin e policisë, këta sherifet e rrugëve nuk rrinë jashtë, por në biruca. Sot dalim dhe themi; krimi nuk ka ekzistuar në këtë vend. Çdo ditë ka një vrasje, një rrëmbim, çdo ditë kanoset dikush. Këtu dëgjojmë pallavra. Shqiptarët kanë pasur një dyshim të vogël, ata janë ulur këmbëkryq përballë një flake. Askush nuk mund të bëjë të paditurin dhe të befasojë dhe të bëjë të paditurin. Ai krimineli në këtë vend është ekskluzivitet i qeverisë. Çfarë ndodh në këtë vend me krimin, është e lidhur me Rilindjen. E dini rastin e Lezhës, ku përveç një zonje të nderuar, i hoqi të tjerët. Malet e Lezhës lulëzojnë, dhe kjo është e lidhur me krimin dhe politikën. Lidhja me krimin është e vetmja përgjigje që japim. Krimi frikëson, por nuk ju mjafton as Roshi dhe as bandat e Damian nga veriu në jug. Po le të futemi në temë. Ju kujtoj atentatit që iu bë prokurorit Arjan Ndoja, dhe unë këtu jam për lotët e atij babait që erdhi me takoi e kërkon nga ju zbardhjen e vrasjes. A keni pasur informacione ju për këtë ngjarje, që do të kishte një përplasje mes bandave në Durrës. Vënia para drejtësisë së autorit, do të qetësonte babain e tij.”, tha Valteri.





