Ndryshe nga çfarë raportuan mediet ditën e sotme lidhur me atentatin e regjistruar një ditë më parë në Durrës, policia e qytetit bregdetar del me një variant ndryshe mbi ngjarjen, një version tjetër nga ai që jep Prokuroria.
Sipas policisë, objektiv i atentatit nuk ka qenë shtetasi A.N. por një shtetas nga Maqedonia e Veriut, me iniciale B. A., 52 vjeç. Ndërkohë nuk kuptohet se pse policia e Durrësit priti 24 orë për të bërë publike ngjarjen, në një kohë që në raste të ngjashme shpërndan një informacion paraprak për mediet.
“Më datë 12.09.2022, rreth orës 12:00, në lagjen nr. 13, Durrës, në rrugën “Pavarësia”, është qëlluar një herë, me armë zjarri, në drejtim të një automjeti të parkuar, në pronësi të shtetasit B. A., 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin ka lëvizur personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të parkuar”,- njofton policia.
Në vijim të njoftimit, policia sqaron se po vijon puna intensive për kapjen e autorit, ndërsa për arsye hetimi, nuk bëhen me dije të dhëna të tjera.
“Theksojmë se në momentin e të shtënës me armë, në automjet nuk ka qenë asnjë person”,- thuhet në njoftim.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.





