Hetimet për atentatin e ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen ‘Vullnetari’ të Elbasanit vijojnë, ndërsa grupi hetimor po shqyrton disa pista. Tre persona mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një lokal, mes tyre edhe kamerieri 19-vjeçar Biorgi Hoxha, i cili dyshohet se u plagos aksidentalisht.

Sipas të dhënave paraprake, objektiv i sulmit dyshohet se ishin Armand Tomorrica dhe Renaldo Mance. Fillimisht u dyshua se autori kishte pasur një konflikt të mëparshëm me ta dhe kishte shkuar për hakmarrje. Megjithatë, në dëshmitë e dhëna para hetuesve, të tre të plagosurit kanë deklaruar se nuk njohin autorin dhe se nuk kanë konflikte me askënd.

Për këtë arsye, hetuesit po verifikojnë edhe mundësinë që autori të ketë ngatërruar shënjestrën. Ndërkohë po merren në pyetje dëshmitarë dhe klientë të tjerë që ndodheshin në lokal në momentin e sulmit. Të plagosurit kanë dalë nga spitali dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori vijon të jetë në kërkim nga Policia.