Personat që shihni në foto janë 40-vjeçari i plagosur dje në urën e Institutit në Kamëz, Korab Peposhi, si dhe autori i krimit, Alfred Rrushi. “BalkanWeb” publikon fotot e tyre, dhe raporton se bëhet fjalë për dy persona me precedentë penalë.

(Korab Peposhi, i plagosuri)
Ngjarja e rëndë, ku mbeti i plagosur me 5 plumba kuksiani, ndodhi në një trotuar në afërsi të urës së Institutit Bujqësor, në rrugën e “Shkodrës” rreth orës 14:20. Sherri mes këtyre dy personave ka qenë i hershëm, ndërsa dyshohet se plagosja ka ndodhur për shkak të pazareve të drogës.

Thuhet se Rrushi kishte tentuar që t’i bënte një atentat pak kohë më parë Peposhit, por nuk ka mundur dot ta plagosë. Kujtojmë faktin se Korab Peposhi është dënuar me 5 vite burg për një plagosje në vitin 2015, ndërkohë që Rrushi ishte arrestuar në 2011-n me kokainë në Itali.





