Mesfushori i Manchester City dhe menaxheri i tij do të japin 100 mijë paundë në bamirësi për të ndihmuar familjet e viktimave në sulmin terrorist që u bë në “Manchester Arena”. 22 njerëz humbën jetën, ndërsa 64 të tjerë u plagosën në momentin që Salman Abedi hodhi veten e tij në erë, gjatë një koncerti të hënën në mbrëmje.

Menaxheri i Toure, Dimitri Seluk, tha për “BBC Sport”: “Ne duam të ndihmojmë viktimat, familjet e të vdekurve dhe ata që janë aktualisht në spital. Unë fola me Yaya të martën në mëngjes dhe ai ishte i shokuar nga lajmi i tmerrshëm.” Seluk shtoi: “Ne kemi arritur me anë të Manchester Evening News që t’i shpërndajmë 100 mijë paundë për ata që kanë nevojë dhe janë goditur nga kjo tragjedi. Nuk donim t’ia jepnim një fondacioni apo dikujt tjetër, u siguruam që njerëz të caktuar do t’i shpinin paràtë te ata që kishin nevojë. Yaya firmosi çekun dhe tani të gjithë do të marrin pjesën e tyre. Toure është shumë i trishtuar sepse ai ka një dashuri të madhe për qytetin e Manchester dhe njerëzit e tij. Për ne ishte kryesorja që secila prej familjeve të goditura nga kjo tragjedi të merrte një shumë financiare për të kaluar momentin e vështirë.”