Forca të shumta policie ndodhen mëngjesin e sotëm në Katund Sukth, aty ku mbrëmjen e së martës u vra në një atentat 38-vjeçari Fatjon Dervishi .
Në pamjet filmike që “DurrësLajm” po publikon vërehet prania e furgonëve të policisë dhe FNSH-së.
Për të hedhur dritë mbi këtë krim të rëndë që tronditi Durrësin janë shoqëruar deri më tani në komisariatin e policisë 6 persona.
Fatjon Dervishi u qëllua në zonën e shinave pranë fshatit Katund Sukth, sapo kishte dalë së bashku me një shok nga një lokal i zonës.
Dyshohet se autorët e kanë ndjekur nga afër lëvizjet e automjetit të Dervishit dhe kanë qëlluar pikërisht tek shinat e trenit, aty ku mjeti është i detyruar të ulë shpejtësinë.
Nga plumbat që u derdhën drejt tij 38 vjeçari u plagos rëndë, ndërsa shoku i tij nuk mori lëndime.
Pista kryesore e hetimit deri më tani mendohet të jetë hakmarrja, pasi vëllai i Dervishit ka vrarë një person nga Lezha pak vite më parë, në Spanjë. Viktima nuk kishte precedent penal, pavarësisht se dyshohet për krime kundër personit, por që nuk janë provuar para gjykatës.
Për policinë janë të njohura lidhjet e tij me një personazh të njohur për drejtësinë shqiptare.





