Policia e Tiranës ka shoqëruar 10 persona në lidhje me ngjarjen që ndodhi një ditë më parë në zonën e “Komunës së Parisit”, ku pati një atentat me eksploziv ndaj biznesmenit fierak Nuredin Suli.
Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se 10 personat që janë shoqëruar, janë parë nga kamerat e sigurisë duke u larguar me shpejtësi nga qendra tregtare “Kristal”. Ata janë të dyshuar si autorë të vendosjes së eksplozivit të telekomanduar, por ndaj asnjërit prej tyre nuk ka urdhër-arresti.
Eksplozivi i vendosur në automjetin e biznesmenit Suli, ishte i llojit C4, rreth 300 gramë, i lidhur me një telefon tip “Nokia”.
Sipas veprimeve hetimore të deritanishme, ka rezultuar se autorët nuk e shpërthyen bombën e telekomanduar, pasi kanë mbajtur nën vëzhgim veprimet e shënjestrës së tyre. Në momentin që panë se bomba ka rënë nga automjeti i biznesmenit, ata nuk e kanë kryer shpërthimin.