Ka marrë një drejtim tjetër dinamika e atentatit me 4 të plagosur në Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, ka dyshime të forta se autorët kanë ngatërruar objektiv, ku shënjestër e sulmit dyshohet të ketë qenë gruaja e Roan Brahimit dhe 4 të plagosurit të jenë qëlluar gabimisht.
Bëhet e ditur se gruaja e Roan Brahimit, babai i të cilit u vra pasditen e djeshme në Pllanë të Lezhës përdor makinë të ngjashme dhe targa e mjetit është e përafërt me atë të 4 personave të plagosur në Lundër mbrëmjen e djeshme. Mësohet se gruaja e Brahimit banon në të njëjtën zonë me familjen e të plagosurve.
Si pasojë e atentatit në Tiranë mbetën të plagosur katër persona, tre prej të cilëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën ndërsa i mituri 11-vjeçar paraqitet në gjendje më të rëndë.
Ndërkohë pak orë para kësaj ngjarje, në një atentat në Lezhë mbeti i vrarë Gjovalin Prendi, babai i Sidorel Prendit, i njohur edhe si Roan Brahimi, i ekzekutuar 1 vit më parë në Athinë në sytë e fëmijës së tij.
Emri i Roan Brahimit ishte i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihej si rivali i Ervis Martinajt dhe akuzohej si i përfshirë në atentatin ndaj Ylli Brahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi.
Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinajt dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 Korrik 2022.