Policia pritet të hedhë dritë mbi atentatin e një nate më parë në Vlorë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri kallashnikov në një lokal kreu i OSHEE-së, Roland Saliu dhe pronari i një televizioni privat, Erven Hyseni.

Dyshimet e para flasin për larje hesapesh pasi atentati ka qenë i mirëorganizuar. Autori pasi zbrazi armën te “Sheshi i Flamurit” ka dalë jashtë Vlorës, duke djegur makinën pranë fshatit Panaja. Makina tip “Bmë” rezulton se është mjeti që u vodh para një jave në Durrës, në zonën e Plazhit.

Dëshmitare në këtë ngjarje ka qenë një vajzë e mitur e cila ka shpëtuar fatmirësisht mes plumbave të autorëve.

Mësohet se vajza është e bija e biznesmenit Hyseni, e cila në momentin e atentatit ka qenë duke luajtur me biçikletë pranë tavolinës ku ndodhej i ati i saj.

Ajo ka parë të gjithë skenën e tmerrshme ku breshëritë e armës automatike u zbrazën mbi tavolinën ku ndodhej i ati dy viktimat Saliu dhe Hyseni. 

Kamerat e sigurisë kanë regjistruar të gjithë momentin e ngjarjes, ndërsa pamjet filmike janë sekuestruar nga policia dhe po punohet për identifikimin e autorëve.