Athina është goditur nga një stuhi vrastare, e cila ka shkaktuar përmbytje masive dhe ka marrë jetën e dy personave, ndërsa mbi qytet ranë 170 mililitra shi, një sasi e barabartë me reshjet e gjashtë muajve, brenda më pak se 24 orësh.

Stuhia goditi Greqinë të mërkurën, duke shpallur gjendjen e emergjencës në disa zona, përfshirë Ano Glyfada, ku një grua 56-vjeçare humbi jetën pasi u mor nga rrjedha e fuqishme e ujit dhe u bllokua nën një automjet.

Pak orë më vonë, një tjetër viktimë u regjistrua në qytezën portuale të Astrosit, ku një burrë 53-vjeçar, roje sigurie në det, u godit për vdekje nga dallgët teksa po ndihmonte banorët të ankoronin varkat e tyre.

Të enjten, ekipet e shpëtimit dhe emergjencës u shpërndanë në kryeqytet për të pastruar rrugët dhe zonat e përmbytura nga mbetjet e lëna pas nga stuhia.

Ndërkohë, erërat e forta që tejkaluan 100 kilometra në orë detyruan autoritetet të mbyllin shkollat në Athinë dhe në disa qytete të jugperëndimit të vendit.

Sipas Departamentit të Zjarrfikëses, vetëm në Athinë janë regjistruar rreth 900 thirrje emergjence brenda pak orësh.

Situata e rëndë detyroi edhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis të anulojë udhëtimin drejt Davosit, ku ishte planifikuar të merrte pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.

Autoritetet greke bëjnë me dije se përmbytjet e shpeshta gjatë reshjeve të stinës kanë nxitur përmirësimin e argjinaturave dhe masave mbrojtëse, ndërsa ekspertët kanë ngritur alarmin për nevojën e investimeve urgjente në infrastrukturë, veçanërisht në zonat e Athinës të rrethuara nga male dhe burime ujore të betonizuara si pasojë e urbanizimit të shpejtë.