Athina zyrtare reagoi ashpër kundër vendimit të qeverisë shqiptare për të shndërruar në zona turistike disa hapësira përgjatë bregdetit Vlorë-Saradë.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme greke thuhet se plani për rikualifikimin urban të Himarës cënon të drejtën e pronës së minoritetit grek dhe shkel Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas Athinës, vendimi i qeverisë shqiptare është arbitrar dhe shkon përkundër edhe me vendimet e gjykatave shqiptare.

Me një vendim të 21 Nëntorit, qeveria shqiptare shndërron në zona turistike 41 parcela tokë përgjatë vijës bregdetare, nga Vlora në Ksamil. Hapësirat konsideroheshin tokë shtetërore dhe ishin kryesisht ara e kullota.