Shkencëtarët kanë krijuar një atlas që përshkruan disa nga 37.2 trilionë qelizat e trupit të njeriut. Studiuesit përdorën teknika të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, për t’iu afruar objektivit për të krijuar një atlas gjithëpërfshirës me të gjitha llojet e qelizave njerëzore, që do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se nga çfarë përbëhet trupi ynë.
Imazhet janë aq të mahnitshme, saqë mund të ngatërrohen me vepra arti.
Por, këto janë qeliza njerëzore – të regjistruara si pjesë e një projekti ambicioz për të hartuar një atlas të të gjitha llojeve të qelizave njerëzore.
Puna kërkimore në kuadrin e iniciativës Atlasi i Qelizave Njerëzore, e publikuar nga revista Nature, përdori të dhëna të avancuara dhe mjete analitike, përfshirë inteligjencën artificiale, për të krijuar një hartë të hershme të detajuar të disa prej 37.2 trilionë qelizave të trupit të njeriut.
“Atlasi i qelizave njerëzore është një hartë e qelizave të indeve dhe organeve tona, dhe teknologjitë kryesore janë gjenomika me një qelizë të vetme dhe gjenomika hapësinore, që janë të integruara në një hartë të vetme, duke përdorur të dhënat shkencore dhe metodat e inteligjencës artificiale. Atlasi është në thelb një hartë me rezolucion të lartë e shtrirjes së plotë molekulare të çdo qelize. Dhe janë këto teknologji që na mundësojnë ta arrijmë këtë rezolucion të lartë”, shpjegon Sarah Teichmann, bashkëthemeluese dhe bashkëdrejtuese e e iniciativës Atlasi i Qelizave Njerëzore.
Zonja Teichmann dhe bashkëpunëtorët e saj u përqendruan në organe të caktuara – tek qelizat në gojë, stomak dhe zorrë, si dhe qelizat që përcaktojnë zhvillimin e kockave.
Studiuesit kanë prodhuar gjithashtu një atlas organoid të trurit që zbulon aspekte të zhvillimit të trurit.
“Ka disa pamje të bukura, përfshirë një që më pëlqen e placentës. Ka gjithashtu për zhvillimin e skeletit dhe gjymtyrëve. Përparimet e tjera të mëdha janë në studimet integrale të sistemeve, si p.sh. sistemi gastrointestinal. Pra, ku ne integrojmë studime të shumta dhe më pas përparojmë drejt një grupi të dhënash më gjithëpërfshirëse”, thotë zonja Teichmann.
Shkencëtarët shpresojnë që atlasi me rezolucion të lartë dhe i disponueshëm për të gjithë – i konsideruar si një variant fillestar – do t’i ndihmojë studiuesit të luftojnë sëmundjet që dëmtojnë qelizat njerëzore.
“Ka rëndësi për sa i përket përfitimit të një botëkuptimi gjithëpërfshirës themelor shkencor, të mënyrës se si funksionojnë trupat tanë. Ka edhe aplikime të gjera biomjekësore, për sa i përket zbulimit të treguesve biologjikë, zbulimit të objektivit të ilaçeve, kategorizimit të pacientëve etj.”, thotë zonja Teichmann.
E themeluar në vitin 2016, Iniciativa “Atlasi i Qelizave Njerëzore”, ka tashmë mbi 3600 anëtarë nga 102 vende.
Shkencëtarët e kësaj iniciative po krijojnë gjithashtu atlase të tjera, që mund t’i ndihmojnë të mësojnë më shumë rreth shkaqeve themelore të sëmundjeve dhe shëndetit në pjesë të veçanta të trupit./voa