15 gusht 2014 – 3000 metra dhe më pas një festë që do ta kujtojë gjithë jetën me hidhërim. Mahiedine Mekhissi-Benabbad u rrëzua brenda pak orëve nga maja në fund pasi atletika nuk është futboll dhe heqja e fanellës të kushton rëndë. Atleti francez që fitoi garën e 3000 metrave me pengesa duke fituar edhe medaljen e artë në europian, detyrohet ta rikthejë medaljen, pasi në finish hoqi fanellën, duke u skualifikuar nga drejtuesit e garës.

Një mënyrë festimi që i kushton shumë 29-vjeçarit, i cili u ndëshkua me karton të verdhë në përfundim të garës. Ishte Spanja ajo që kërkoi skualifikimin e atletit francez, duke e justifikuar këtë kërkesë me thyerjen e rregullores dhe në këtë mënyrë, atleti iberik Angel Mullera u spostua nga vendi i katërt në të tretin, duke fituar medaljen e bronzit. Mekhissi-Benabbad e apeloi menjëherë vendimin, por përgjigja që mori ishte negative. Një ditë që do të mbahet mend gjatë nga atleti francez, i cili ia dorëzoi medaljen bashkëkombasit Yoann Kowal.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/