Kampionati ko mbëtar i atletikës ka ulur dje siparin e edicionit të 86-të pas dy ditëve garash të zhvilluara në stadiumin “Elbasan Arena”. Në këtë eveniment të organizuar nga FSHA-ja morën pjesë 17 skuadra me qindra sportistë meshkuj dhe femra, ndërsa garuan gjithashtu edhe të gjithë sportistët elitarë, duke nisur nga Luiza Gega, për të vijuar me Izmir Smajlajn, Franko Burrajn dhe David Nikollin. Çdo disiplinë përcaktoi më kampionët e vitit 2024, ndërsa sportistët më të mirë të kampionati kombëtar u shpallën Luiza Gega dhe Franko Burraj. Në rang ekipor triumfuan bindshëm Tirana për femra dhe Vllaznia për meshkuj.
DITA E PARË – Sa i përket rezultateve për çdo disiplinë, në hedhjen e shtizës dolën të parët sportistët e Teutës dhe Tiranës, respektivisht Ingri Nelaj dhe Mei Sokoli. Adriatik Hoxha i Teutës zuri vendin e parë në hedhjen e diskut. Për të vijuar më pas me kërcimin së gjati, aty ku e para doli sportistja e Vllaznisë, Erisa Rrasa. Te meshkujt vendi i parë i takoi Izmir Smajlajt. Në kërcimin së larti vendin e parë e zuri Glenis Haxhiaj i Vllaznisë. Për të vazhduar më pas me garat e shpejtësisë me pengesa, aty ku spikatën sportistët e Skënderbeut. Respektivisht në garën e 110 metrave me pengesa i pari doli Milen Caco, ndërsa në 100 metra me pengesa triumfoi Uibi Ahmet. Endri Rakaj i Vllaznisë e përshkoi më shpejt distancën e 100 metrave, duke zënë kështu edhe vendin e parë. Në garat e 400 metrave kampionë u shpallën Franko Burraj i Vllaznisë dhe Iljana Beqiri e Tiranës. Daniel Ndoj i Partizanit zuri vendin e parë në garën e 800 metrave. Relaksa Dauti e përshkoi më shpejt garën e 1500 metrave, duke ia dalë në fund të zërë edhe vendin e parë. Luiza Gega si gjithnjë garoi e vetme në garën e 3000 mijë metrave, rrjedhimisht duke marrë edhe vendin e parë. E njëjta situatë ishte edhe në garat e 3000 metrave me pengesa, me dy sportistët e Tiranës, Bledar Mesi dhe Redia Dauti që në fund morën medaljet e vendit të parë. Në atë të 5000 metrave, vendi i parë i takoi David Nikollit të Partizanit. Sa i përket stafetave të 4×100, për meshkuj triumfi Vllaznia, ndërsa te femrat suksesi shkoi për Tiranës.
DITA E DYTË – Në garat e djeshme u arritën rezultate interesante, me Elisa Myrtollarin e Skënderbeut dhe Palona Shylen e Tiranës, të cilat zunë të dyja vendin e parë me kohë të njëjtë në garën e 100 metrave. Franko Burraj i Vllaznisë dhe Alesia Ciko e Skënderbeut zunë vendin e parë në garën e 200 metrave, ndërsa Alesia Dauti fitoi garën e 800 metrave. Atletët e Tiranës, Luiza Gega dhe Bledar Mesi garuan të vetëm në atë të 5 mijë dhe 3 mijë metrave. Në atë të 10 mijë metrave i pari doli Ilir Këllezi i Skënderbeut, ndërsa Redia Dauti e Tiranës garoi e vetme. Durjon Idrizaj i Vllaznisë dhe Livia Topi e Skënderbeut dolëm të parët në garën e 400 metrave me pengesa. Ndërsa në atë të 1500 metrave i pari doli David Nikolli i Partizanit. Adriatik Hoxha i Teutës dhe kubania Yipsi Moreno e Tiranës triumfuan në hedhjen e gjyles. Në tre hapësh zunë vendin e parë Kolindo Kiri i Vllaznisë dhe Joana Goli e Tiranës. Mei Sokoli e Tiranës u rendit para në kërcim së larti, ndërsa Yipsi Moreno po e Tiranës zuri vendin e parë në hedhjen e çekiçit. Sa i përket stafetave 4×400, për meshkuj triumfoi Vllaznisë, ndërsa për femra fitorja i takoi Tiranës.