Tiranë, 12 qershor 2014 – Kampionati i 76-të kombëtar i atletikës për të rritur ka ulur siparin duke e bërë në mënyrën më spektakolare të mundshme. “Mbretëresha e Sporteve” ka një “zot”, dhe ajo është pa dyshim Luiza Gega. E jashtëzakonshme kampionia shqiptare, e cila dje ka thyer edhe rekordin kombëtar në garën e 5000 metrave, duke regjistruar kohën më të mirë 15’46’89. Rekordi ishte diktuar më datë 8 maj të vitit 1997 nga ish-atletja e Skënderbeut, Anila Kasati, që 17 vite më parë e ndali kronometrin në kohën 16’30″00.
Gega ka garuar e vetme, duke dhuruar emocione të forta, të cilat në fund u kurorëzuan edhe me thyerjen e rekordit. Sakaq, kampionia nga Durrësi është shpallur edhe sportistja më e mirë e kampionatit. Kampionati i 76-të kombëtar i atletikës është fituar në kategorinë e femrave nga ekipi i Tiranës, i cili ka grumbulluar 107 pikë, ndërsa te meshkujt ka fituar Vllaznia me 181.5 pikë.
Sportisti më i mirë te meshkujt është shpallur atleti i Vllaznisë, Izmir Smajlaj, i cili në trehapsh kërceu 15.91 metra. Për sa u përket kategorive të tjera, në 110 metra me pengesa, kohën më të shpejtë e ka arritur sportisti i Tiranës, Elton Biticinka, i cili e ka ndalur kronometrin në 14”82, ndërsa në 800 metra Nimet Gashi ishte më i shpejti me kohën 1’54″07.
Në baterinë e 300 metrave me pengesa ka fituar Arjan Sheshi i Teutës, ndërsa në hedhjen e diskut Dhimitris Jorgos i Skënderbeut. Për sa u përket femrave, në baterinë e 100 metrave me pengesa më e shpejta ka qenë Silvana Gjuta e ekipit të Tiranës, ndërsa në kërcim së larti Sindi Prifti, atletja e Dinamos.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





