Ballokumet e Elbasanit kanë mbytur rrugët e Durrësit, por koha e vrenjtur dhe e ftohtë prishi planet e durrsakëve për të festuar. Në qendër të Durrësit dhe në shëtitoren “Taulantia” kishin zbarkuar ambulantët me ballokume, por qytetarët durrsakë nuk janë zgjuar herët ashtu siç e do tradita dhe as nuk kanë preferuar të dalin shëtitje buzë detit për të festuar ditën e parë të pranverës që po troket.

Ndryshe nga vitet e shkuara, kur fëmijët e vegjël luanin futboll apo lojëra me dorë, në plazh apo qytet, këtë ditë kanë munguar aktivitetet si për të vegjlit ashtu edhe të rriturit.

Ballokumet e famshme të Elbasanit tregtohen si nga shitësit ambulantë, ashtu dhe në mjaft markete apo dyqane ëmbëlsirash të qytetit. Prania e tyre, është ndoshta e vetmja shenjë që të kujton se dhe në Durrës po festohej dita e verës.

K.H.