Mijëra e mijëra trupa po përgatiten të dislokohen në Uashington DC përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden ndërsa kryeqyteti amerikan ka filluar të ngjasojë sipas disa zyrtarëve me kryeqytete si Bagdadi apo Kabulit, dhe jo si qendra e botës së lirë.
Zyrtarët ushtarakë thanë të premten se 18,000 forca të armatosura të Gardës Kombëtare pritej të mbërrinin në kryeqytetin amerikan gjatë pesë ditëve të ardhshme, përveç 7,000 të dërguar pas trazirave të 6 janarit nga ekstremistët që mbështesnin Presidentin në largim Donald Trump.
Garda Kombëtare, forca ushtarake rezervë e Shteteve të Bashkuara është mobilizuar në një sërë situatash brenda dhe jashtë vendit. Ajo shpesh thirret për të ndihmuar në rastet e emergjencave të brendshme dhe është bërë kontribuesi kryesor në atë që disa zyrtarë po e përshkruajnë si përgjigjen më të fortë të sigurisë në historinë e kryeqytetit.
Tashmë, rrugë të shumta rreth Kapitolit janë mbyllur për trafikun, ndërsa zona kryesore e Shëtitores Kombëtare, e cila shtrihet nga Memoriali i Linkolnit në anën perëndimore të Kapitolit dhe ka qenë vendndodhja e disa prej protestave më të famshme të vendit, është e mbyllur për vizitorët./VOA