Për karrierën e motrave Hadid në botën e modelingut duket se diskutonte Jeffrey Epstein në një nga e-mail-et e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Në këto mesazhe, financieri i dënuar për pedofili lë të kuptohet për mënyrën se si Bella dhe Gigi Hadid ndërtuan rrugëtimin e tyre në pasarela.
Dialogu, i zhvilluar më 3 dhjetor 2015, nis me një person të panjohur, që mendohet të ketë lidhje me industrinë e modelingut, i cili e pyet Epstein-in: “Si u bënë modele motrat Hadid dhe fituan kaq shumë para? Nuk e kuptoj.”
“Ti e di,” përgjigjet Epstein, duke hedhur poshtë më pas pretendimin e bashkëbiseduesit se “babai i tyre pagoi agjencinë e modelingut”.
Më tej, biseda merr një kthesë edhe më të ashpër. Në një tjetër mesazh, bashkëbiseduesi i shkruan: “Ka shumë vajza që bëjnë kompromis”, ndërsa Epstein përgjigjet: “Jam dakord”.
“Pra, çfarë bënë ato?” këmbëngul personi tjetër, ndërsa Epstein përgjigjet me një shprehje vulgare me nënkuptime të qarta. Kur pyetet për motrat Hadid me frazën “nëse mund ta bëjnë ato, pse jo unë?”, Epstein përfundon: “Sepse ato ndjekin udhëzimet, është kaq e thjeshtë.”






