Edhe pse ka kaluar një vit nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, nga ana e Agjencisë së Pronave nuk ka pasur as një vendimmarrje për njohje pronësie.
Shkak për bllokimin e këtij procesi së fundmi është bërë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi dy pika të nenit 6, përkatësisht pikën 3 dhe 5, në të cilën ishte përcaktuar formula e kompensimit. Kërkesat e patrajtuara ishin ato që u prekën drejtpërsëdrejti nga ky vendim.
Por kur Qeveria nuk u ka dhënë ende zgjidhjeje ligjore paragrafëve të shfuqizuar nga Kushtuesja, agjencia riorganizon punën për shqyrtimin e këtyre dosjeve. Me anë të një urdhri të posaçëm “Për organizimin e punës në sektorin e shqyrtimit të kërkesave për njohje pronësie”, drejtoresha e ATPsë, Sonila Qato, ka hartuar kalendarin e ditëve që do të bëhet pritja e qytetarëve sipas qarqeve nga vijnë, duke filluar nga kjo e hënë. Informacioni i plotë është në tabelën përbri.
DOSJET
Nga të dhënat e Agjencisë së Pronave, mësohet se janë rreth 11 mijë dosje pa vendim që qëndrojnë prej vitesh në sirtar. Pjesa më e madhe prej tyre janë nga Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Vlora. Ndërsa numrin më të ulët e ka Qarku i Kukësit, përkatësisht me 35 aplikime.
Në total për t’u kompensuar janë rreth 4200 hektarë tokë truall, 86 mijë hektarë tokë bujqësore, 27 mijë hektarë sipërfaqe pyjore dhe 32 mijë hektarë livadhe e kullota. Ligji i ri parashikon një afat 3-vjeçar për trajtimin e këtyre kërkesave. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë pronarët mund t’i drejtohen gjykatës.
Referuar skemës së re, toka do të llogaritet me çmim tregu, por zëri kadastral i saj nuk do të jetë ky i sotmi, por ai që ka pasur prona në momentin e konfiskimit. Për të ulur barrën financiare, qeveria do t’i japë prioritet kompensimit fizik për pronën e shpronësuar gjatë regjimit komunist.
Sipas Qatos, ligji i ri heq të gjitha barrierat e deritanishme, duke garantuar kthimin e pronës aty ku është e mundur në masën 100 për qind. Megjithatë, korrektimi që po i bëhet skemës nga Qeveria, e lë ende pezull mënyrën sesi do të operohet me 11 mijë dosjet e pashqyrtuara.
APLIKIMET
Prej një viti, Agjencia e Pronave ka hapur aplikimet për pronarët me vendime përpara vitit 1994. Janë 3920 familje që gëzojnë të drejtën për t’u paraqitur në ATP dhe për të bërë dorëzimin e dokumenteve që duhen. Deri më tani janë kompensuar vetëm 315 pronarë. Ndërkohë që është drejt përfundimit vlerë- simi ekonomik për 12 mijë vendime që janë dhënë në vitin 1995.