TIRANE – Agjencia Telegrafike Shqiptare u distancua dhe dënoi veprimin e gazetarit Bektash Zeneli, i cili u ndalua nga Policia e Gjirokastrës me urdhër të Prokurorit për korrupsion pasiv personal dhe e pushoi menjëherë nga puna. 

“Drejtoria dhe gazetarët e ATSH-së, distancohen dhe dënojnë këtë akt korruptiv, që është në kundërshtim të plotë me misionin fisnik të gazetarëve të këtij institucioni mediatik, që në radhë të parë kanë informimin e saktë të opinionit publik dhe ruajtjes së etikës profesionale gjatë ushtrimit të aktivitetit”,- nënvizon Agjencia Telegrafike Shqiptare. 

Bektash Zeneli, i cili kishte vetëm dy muaj provë në ATSH si gazetar, u ndalua pasi ushtroi presion personal ndaj një punonjësi të policisë së Doganës së Kakavijës në Gjirokastër, duke i kërkuar 3000 euro në këmbim të mos publikimit të një videoje.