NGA ALFRED LELA
Në fillimjavë, në mbledhjen e grupit parlamentar të opozitës, Lulzim Basha bëri publik mjetin për të nisur protestat. Nga vjeshta deri në pranverë, kumtoi ai.
Gabim.
Së pari, sepse protestat janë si emergjencat: ato shpallen në ato moment kur i thërret një kauzë apo fatkeqësi, dhe jo kampionate futbolli apo stinë teatrore, që fillojnë në një stinë e përfundojnë në një tjetër.
Por, Basha nuk është duke shprehur një naivitet politik kur e bën këtë ‘paralajmërim të stuhisë’ që me gjasë do të jenë protestat opozitare të vjeshtë-pranverës ‘15-‘16. Jo, ai është duke i kumtuar publikut një ‘gazep’ që e ka zënë me radikalët në partinë e vet. Megjithëse Berisha është më i kujdesshmi dhe më atërori në raport me Bashën, (edhe për faktin se ai është trashëgimtari i shenjuar prej tij), kori antibashist, paradoksalisht, frymëzohet prej berishizmit si taktikë dhe strategji politike.
Më e zëshmja në këtë kor është Jozefina Topalli, një berishiste par excellence. Dhe me të drejtë. Sali Berisha e pikasi, e projektoi, e mori dhe e ngjiti, duke e bërë numrin dy të shtetit dhe të Partisë Demokratike. Pa ndonjë talent të spikatur politik të zonjës Topalli, argumentojnë disa. Të cilën mungesë ia dëshmojnë ndofta edhe deklaratat publike të ditëve të fundit- më e freskëta prej tyre u mbërriti veshëve me fishkëllima e brofje çapkëneje të enjten e Kuvendit.
Zonja me emrin e bukur Jozefinë, tha me të madhe e kreni se nuk është politikane kompromisi dhe as pranon opozitën konstruktive. Atribute që në fakt zonja Topalli i ka dëshmuar edhe gjatë kohës në pushtet.
Në shoqëritë demokratike, personazhe me deklarata të tilla janë pjesë, ose kryesojnë, parti të vogla të njërit ekstrem apo tjetrit. Politikanët e partive të mëdha që synojnë pushtetin, e artikulojnë mendimin në mënyrë të tillë që të kapin sa më shumë elektorat dhe të tëhuajësojnë sa më pak vetë. Duke synuar sidomos zonën gri, e cila është edhe më skeptikja ndaj mesazheve radikale.
Historia e zgjedhjeve shqiptare dëshmon se, me anë të hapjes e të përfshirjes, dy partitë e mëdha kanë arritur të kapërcejnë pragun e 50 përqindëshit, dhe jo me anë të radikalizmit dhe mbylljes. Viti 2005 që solli PD në pushtet ndodhi pikërisht për arsye se Berisha krijoi akses në parti për të rinjtë dhe të larguarit. Pra, e hapi në drejtim të shoqërisë.
Pse atëherë kjo dëshirë për t’i veshur shefit të ri të opozitës një maskë mbylljeje dhe radikalizimi, dhe një rol në një teatër që nuk i shkon as atij, as partisë në rinovim dhe as kohës?
Në PD mund të ketë një grup që dëshiron dështimin e Bashës, por në shoqëri ka forca më të mëdha, edhe pse veprojnë më vete e pa unitet, fryma e të cilave nuk do e lejojë dështimin e opozitës së re për hir të huqeve të vjetra.
Lulzim Bashës ndërkohë i duhet të jetë Janusi, të cilit i pajton alkimitë e dy fytyrave: të vetën që portretizon politika të moderuara, dhe radikalëve që besojnë te konflikti i pandërprerë politik dhe besojnë se vetëm përmbysja e kthen rendin normal të gjërave në Shqipëri.
Bashës i duhet të manovrojë mes këtij acari dhe blerimit të brishtë të prurjeve të tij në parti. Koordinatorët e rinj të PD nuk janë të rrezikuar vetëm nga mungesa e identitetit politik dhe e njohjes publike, por edhe e rënies në kurthin e opozitarizmit radikal e pa ide. Pengesë për këtë bëhet vetëm një gjë: që ata vetë të jenë fabrika e ideve. Në të kundërt déjà vu-ja e një shabanizmi të ri mund të fanitet në PD.
Opozitës i duhet një instrument i forcës së ideve dhe jo idesë së forcës. Pavarësisht protestave perpetuale, Edi Ramës iu deshën gjithsesi 8 vite dhe një aleancë e padëshiruar dhe e pashenjtë me Metën për të ardhur në pushtet. Po kaq iu deshën edhe opozitës së Berishës, pavarësisht radikalizmit të fortë dhe përmbyllës me hapjen e madhe të 2005-ës.
Nëse e pranojmë se cikli i pushtet-opozitës në Shqipëri është 8 vjeçar dhe radikalizmi nuk e ndryshon (të paktën deri tani dhe duke përjashtuar 1997-ën), a nuk i duhet dhënë kohë dhe hapësirë Bashës të provojë opozitarizmin e tij?
Apo Basha, duhet të mprehë koçinë e luftës dhe të detyrojë zgjidhjen finale me ata që kërkojnë një sjellje tjetër të opozitës? Një skizmë në vend të një provokimi të përditshëm?
Nikola Gruevski, i cili erdhi në krye të VMRO-së, parti e qendrës së djathtë në Maqedoni, në fillim të viteve 2000, më i ri se Basha në moshë, e pa veten në të njëjtën situatë me ‘veteranët’ e partisë. Përplasja me ta prodhoi dy fraksione, të cilat u shkëputën nga partia mëmë. Gruevski erdhi në pushtet në zgjedhjet e radhës me të njëjtën sigël dhe pa ta.
Atyre që kërkojnë një opozitë tjetër, ndoshta u duhet dhënë mundësia për një parti të tyren.
Marrë nga “MAPO”, 18 korrik 2015