Mbretërimi i Yaya Toure në Afrikë u shemb dhe mesfushori i Manchester City nuk e ka pritur mirë. Pierre-Emerick Aubameyang është fituesi i Topit të Artë afrikan, pas katër sezonesh radhazi që ky trofe i dorëzohej Toure. Sulmuesi i Dortmundit ka marrë shtatë vota më shumë se mesfushori i Manchester City, kjo edhe falë nisjes mbresëlënëse në këtë sezon, ku në 17 ndeshje ka shënuar 18 gola me verdhezinjtë.

Megjithatë, kjo paraqitje nuk është e mjaftueshme për të marrë këtë trofe. Sipas Yaya Toure, "duheshin marrë për bazë më shumë trofetë e fituar në Afrikë." "Jam mjaft i zhgënjyer. Është e trishtë të shohësh Afrikën që shpërfill trofetë e fituar në Afrikë. Është e turpshme sesi ne afrikanët përqendrohemi dhe vlerësojmë më shumë atë që ndodh jashtë kontinentit tonë. Është patetike!” – komentoi Toure. Yaya Toure, kapiten i Bregut të Fildishtë, fitoi Kupën e Afrikës në vitin që lamë pas.