Në një deklaratë për mediat paraditen e së enjtes, Denar Biba pranoi se biseda që ka zhvilluar me gjyqtarin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledio Bianku, ka qenë “qasje e papërshtatshme”.
“E vërteta do të zbulohet kur të publikohet audio e plotë. Siç tha vetë Gjykata e Strasburgut, unë kam takuar gjyqtarin dhe i kam kërkuar që të na asistonte në lidhje me një kërkesë të shtetit tonë për të mundësuar shtyrjen e afatit të ekzekutimit të një vendimi që në atë kohë, kur qeveria sapo ishte krijuar, do të vinte në pozitë shumë të vështirë financat. Bianku e ka konsideruar bisedën me mua si qasje të papërshtatshme. Ajo pranon referimin e anëtarit të saj për qasje të papërshtatshme, por jo për ndikim dhe aq më pak shantazh”, shpjegoi Biba.
“Ishte bisedë normale mes dy miqsh, që për fat të keq gjyqtari e ka referuar si qasje të papërshtatshme. Më vjen keq që nuk ma tha në sy dhe ta ndërpriste bisedën në moment”, shtoi Biba.





