Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas publikimit të audiopërgjimit nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj se po ndërhyn në zgjedhjet e krerëve të Shoqatave, ndërkohë që ka përdorur dhe fjalor banal në një takim informal.

Rama i është përgjigjur komentetit të një ndjekësi në Facebook, i cili i kërkon të shprehet për këtë ngjarje.

“Pershendetje zoti Kryeminister audio pergjimi i Erion Veliajt dhe gjuha e kimunikimit qe perdor ai a jane te pranueshme per Kryetarin me te madh te Bashkive te vendit?! Do ket mase disiplinore per zoterin?! Pasi ai ka 1 miljon banore qe i paguajn taksat dhe presin sherbim nga ai!!”, thekson Andi Cenaj.

Ndërsa Rama përgjigjet: Unë i neveris përgjimet e bisedave mes njerëzve që flasin në një mjedis jopublik të cilat sipas meje nuk duhet të merren për bazë askund, as si prova fajësie as si prova vërtetësie sepse tjetër konteksti i një komunikimi informal pa dorashka, tjetër konteksti i shfaqjes së një përgjimi publik.