Tiranë, 25 korrik 2014 – Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari është shkarkuar para 4 ditësh nga detyra nga ana e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Nuk dihet zyrtarisht motivacioni i shkarkimit, megjithatë, burime nga Ministria e Kulturës thanë për "GSH" se Plasari do të emërohet në një tjetër detyrë të rëndësishme në një nga institucionet e kulturës. 

Janë disa kandidatura që përfliten si pasues të Plasarit në Bibliotekën Kombëtare, por më i kuotuari është një publicist i njohur, njohës i mirë i shqipes, i cili ka jetuar për shumë kohë jashtë Shqipërisë. Aurel Plasari, prej vitit 1998 mbante postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. 

Në fushën e studimeve letrare dhe historike Plasari ka botuar: "Kuteli mes të gjallëve dhe të vdekurve", "Letërsia dhe muret", "Don Kishoti zbret në Shqipëri" (1990), "Vija e Teodosit rishfaqet" (1993), "Fenomeni Voskopojë" (2000), "Rrëmbimi i Europës" (2005), "Skënderbeu", "Një histori politike" (2010). Është autor i romaneve "Dhjetë ditë që nuk tronditën botën" (2002) dhe "Lufta e Trojës vazhdon" (2004). Ka përkthyer nga letërsia botërore autorë të njohur si F. Dostojevski, G. Lorka, A. Ahmatova, G. Marquez, O. Fallaci.