Nëse një sëmundje e rëndë po të shkatërron trupin, shpirtin ta mposht e ta mpak mungesa e ilaçit për ta kuruar. Këtë po përjetojnë dhjetra familje në Pediatrinë e QSUT ku fëmijë të mitur me sëmundjen e leuçemisë nuk mund të kurohen pasi mungon ilaçi, asparaginaze. Ilaçi është tepër i kushtueshëm, dhe familjet apeluan në News24 e BalkanWeb për ndihmë, por nuk erdhi asnjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë dhe spitali ku kanë shtruar fëmijët.
Dorën në zemër e vuri këngëtarja Aurela Gaçe. Pasi ka ndjekur kronikën në News24 e BalkanWeb, ku një familje me fëmijën 2 vjec nën britmat për ndihmë, shprehet se nuk mund të gjejnë para për të blerë ilaçin dhe po humbin fëmijën për këtë shkak, këngëtarja ia zgjidh hallin, i paguan familjes 5 kura.
“Më dhembi zemra nga cfarë pashe sot në një kronikë. Nuk di se cfarë mund të bëhet për këta fëmijëë, për këto njerëz që s’kanë mundësi të blejnë kurat e kushtueshme, por prindi nuk mund të shohë fëmijën të vuajë. O Zot. Nuk di.
Një kurë që kushton aq shumë dhe të mendosh që sëmundja do shumë të tilla që të mund të luftohet.
Fola me nënën që fëmija 2 vjeç ishte në nevojë të madhe dhe kishte dy javë që s’po kurohej pasi në farmaci i jepej vetëm një mënyre. Blije të gjithë ilaçin ( paçka se fëmijës i duhej një pjesë )”.
Këngëtarja shprehet e trishtuar, pasi edhe pse e ka ndihmuar familjen, kjo sipas saj nuk është zgjidhja e duhur.
“Ja një moment ndihmojmë ne, po më vonë? Po me femijët e tjerë , me prindër që kanë shkrirë çdo gjë, ose me ata që s’kanë asgjë? Si ndihmohen këta femijë ?
Është e dhimbshme deri në palcë.
E dhimshme!
Dhe kur bëhesh prind , nuk sheh dot lotët e një prindi që sheh fëmijen t’i shuhet përpara syve. Ju lutem kush e ka më në dorë ta ndryshojë këtë realitet, ta bëjë pasi nuk di si shtyhet buka poshtë tek sheh fëmijen tek përpëlitet”.





