“Aureolë peizazhi” titullohet ekspozita më e re e piktorit të mirënjohur Çaush Vathi e çelur në Durrës. Ekspozita është inauguruar këtë fundjavë në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” në Durrës. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast kanë qenë të pranishëm shumë miq e kolegë të piktorit, intelektualë dhe artdashës.

Piktori Qamil Prizreni, në hapjen e kësaj ekspozite është shprehur se prania e këtij publiku sot e justifikon edhe nivelin e ekspozitës. Ai shtoi se piktori Çaush Vathi ka një bagazh të lartë në pikturë, të cilin e ka treguar edhe në të kaluarën duke marrë disa çmime kombëtare, ku ka treguar potencialin e tij krijues, dashurinë për artin. Ai përcakton tiparet karakteristike të zhanrit të peizazhit, të cilin e trajton me një tipizim të veçantë.

Vetë piktori Çaush Vathi shprehet se ndoshta peizazhet e kësaj ekspozite përsërisin njëri-tjetrin, por rëndësi ka tematika dhe peizazhi zë vendin kryesor. Ai ka falënderuar organizatorët, shtëpinë botuese “Toena”. 

Ekspozita përbëhet nga 40 punime në vaj, punime në gjininë e peizazhit që janë krijuar nën moton “Peizazhi i bukur i vendit tim”. Ekspozita u hap nën kujdesin e veçantë të Irena dhe Fatmir Toçit.

K.H.