DURRËS, 7 shkurt 2014 – Gazeta australiane “My Daily News” botoi më 7 shkurt 2014 portretin e një emigranti të suksesshëm shqiptar në Australi. Dr. Zekri Palushi ishte kryetari i degës së Partisë Demokratike të Pukës. Pas ardhjes në pushtet të PD-së, u emërua këshilltar i Kryeministrit Aleksandër Meksi dhe kryetar i Komisionit Ndihmat Humanitare. Në vitin 1995 Dr. Zekriu u ndërgjegjësua që partia e tij politike ishte infiltruar nga interesa të pistë të lidhur me të shkuarën komuniste të sapo-rënë nga pushteti. Duke përfituar nga një vizitë pune në Australi, kërkoi azil politik. Iu dha viza e kategorisë për persona të rrezikuar. Menjëherë filloi të kërkonte punë. Zekriu shprehet se e quante veten me fat që gjeti punë si pastrues (sanitar) në spitalin privat “Greenslopes Private Hospital” të qytetit të Brinsbejnit. Më vonë Dr. Palushi tërhoqi në Australi edhe gruan, Tinën, bashkë me dy vajzat, Arbionën dhe Enisën, si edhe djalin e vogël Endritin. Në vitin 1998 dr. Palushi dha provimet për t’iu njohur diploma e mjekut në Australi. Më pas ai ushtroi profesionin e mjekut në disa spitale australiane si p.sh. në “Launceston General Hospital”, “Royal Hobart Hospital” dhe si mjek i përgjithshëm në “Coffs Harbor”. Tani punon në qytetin e Pottsvill-it, në klinikën e dr. Julian Chin-it, një kinez nga Hong Kongu. Dr. Palushi është shumë i kënaqur me karrierën e vet në Australi dhe shprehet se bën maksimalen e vet për t’u shërbyer sa më mirë pacientëve të tij.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





