3 qershor 2014 – Federata Australiane e Futbollit bëri të ditur se mund të prezantojë kandidaturën e saj për të organizuar fazën finale të Botërorit të vitit 2022, për të zëvendësuar Katarin që sipas dokumenteve të publikuara nga “Sunday Times” ka blerë votat e delegatëve të FIFA-s në momentin e votimit për përcaktimin e vendit organizator.
“Ka seriozisht mundësi që kjo çështje të ketë zhvillime, akuzat janë të rëndë dhe do të presim për të parë se cilat do të jenë përgjigjet, por është ende herët për të thënë nëse këto fakte do t’i rihapin dyert kandidaturës sonë” – deklaroi përgjegjësi i Federatës Australiane, David Gallop për një radio të Melbourne. Nga ana e tyre drejtuesit e Katarit i kthyen mbrapsht me indinjatë të gjitha akuzat për korrupsion, por Federata Australiane është kontaktuar nga një emisar i FIFA-s, Michael Garcia për ta furnizuar me dokumentacionin e nevojshem për prezantimin e kandidatuirës.
Zëvendëspresidenti i FIFA-s, Jim Boyce, foli për mundësinë e një ndryshimi të vendit organizator të Botërorit 2022 nëse hetimi do të konfirmojë akuzat. Në vitin 2010 kur u përcaktua dhe vendi mikpritës i Botërorit ishin në garë Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia dhe Australia.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





