Gjatë 12 muajve të fundit, Australia është goditur nga një sërë incidentesh të sigurisë kibernetike. Javën e kaluar portet e vendit u prekën për tre ditë.

“Hakerët e sponsorizuar nga shteti ka të ngjarë të vazhdojnë të synojnë rrjetet e ujit dhe energjisë të Australisë”

Pa fajësuar grupe specifike apo duke iu referuar shkeljeve specifike, shërbimi i inteligjencës australian nënvizon në raportin e tij të fundit se Moska dhe Pekini përfaqësojnë kërcënime serioze për vendin për sa i përket sigurisë kibernetike.

“Hakerët e sponsorizuar nga shteti ka të ngjarë të vazhdojnë të synojnë sistemet e ujit dhe rrjetet e energjisë të Australisë,” paralajmëroi agjencia, duke shtuar se ata pa dyshim do të shtojnë përpjekjet e tyre për të fituar akses në sekretet ushtarake.

Pakti i sigurisë AUKUS, i cili u nënshkrua midis Australisë, Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe kryesisht parashikon dërgimin e nëndetëseve me energji bërthamore në Canberra, mund të jetë objektivi kryesor i sulmeve kibernetike, thuhet në raport.

Raporti citon gjithashtu një incident të sigurisë kibernetike në maj, në të cilin hakerat e mbështetur nga Pekini depërtuan në rrjetet kritike të infrastrukturës në Shtetet e Bashkuara.

Kina, partneri kryesor tregtar i Australisë, është “një burim shqetësimi për sigurinë e vendit tonë”, tha sot ministri australian i Mbrojtjes Richard Marles kur u pyet në lidhje me raportin.