31 janar 2015 – Trofeun e saj të parë në Kupën e Azisë, Australia e fiton në shtëpi. Në Anz Stadium në Sydney përpara 76 385 tifozëve entuziastë, Socceros mposhtën pas kohës shtesë 2-1 Korenë e Jugut duke fituar për herë të parë në histori trofeun e Kupës së Azisë që nga hyrja e tyre në konfederatën aziatike të futbollit në vitin 2006. Vendosi një gol i James Troisit në fundin e shtesës së parë për t'i dhënë Australisë një sukses të merituar.
Nga një dramë e mundshme në festë pasi Korea Jugut barazoi avantazhin provizor të vendasve me një gol në minutën e 92-të të realizuar nga sulmuesi që luan për Bayer Leverkusen në Bundesligë Son Heung -Min. Gjithsesi në fund festa ishte e gjitha për formacionin e drejtuar nga trajneri Ante Postecoglu, kjo falë mbështetjes së madhe që Socceros morën nga publiku vendas.
Australia ishte skuadra që e meritoi më shumë ta fitonte këtë edicion të Kupës së Azisë edhe pse Korea Jugut zhvilloi gjithashtu një kompeticion për tu mbajtur mend gjatë pasi formacioni i drejtuar nga gjermani Uli Stielieke përpara sfidës finale i kishte fituar të pesta ndeshjet që kishte zhvilluar dhe për më tepër pa pësuar asnjë gol, madje në fazën e grupeve Korea e Jugut mposhti edhe vetë Australinë me rezultatin 1-0. Për të kthyer te sfida e zhvilluar Anz Stadium ishte Massimo Loungo që me një gol të tijin në castet e fundit të pjesës së parë coi në delir tifozerinë vendase duke kaluar Socceros përpara. Megjithatë në minutën e dytë shtesë të kohës së rregullt Son Heung-Min barazoi shifrat duke e dërguar ndeshjen në shtesë. Në 30 minutat e shtesës Australia ishte më e vendosur për ta fituar sfidën dhe përpjekjet e Juric në të 105-tën u shpërblyen me golin e James Troisit që i dha fitoren Australisë. Përfundoi gjithcka me suksesin 2-1 të formacionit vendas dhe me Australinë që ngriti në qiellin e Sydney-it trofeun e shumëdëshiruar. Tim Cahill me shokë e fituan Kupën e Azisë në tentativën e tyre të dytë pasi në 2011-n u ndalën në momentin më të bukur pikërisht në finale, kur u mundun në Doha të Katarit nga Japonia. Nga ana tjetër Korea e Jugut duhet të presë të paktën edhe 4 vite të tjera për një sukses që i mungon që nga viti i largët 1960.





