Austriakia javore “News.at” i ka kushtuar një reportazh kombëtares shqiptare, që “Telesport.al” po ua sjell të plotë në vijim. Sipas tij, Donis Avdijaj duhet të jetë pjesë e kërkimeve të De Biasit. Nën titullin “Shqipëria, ekipi i futbollit me fëmijë refugjatë”, ajo shkruan: “Ndeshja provë e kombëtares austriake të futbollit para fazës finale të “Euro 2016” do të luhet ndaj Shqipërisë, e cila debuton në Kampionatin Europian të këtij viti. Më 26 mars, ekipi i drejtuar nga Marcel Koller mblidhet në “Ernst Happel”, stadiumin e Vjenës, për t’u ndeshur me “xhuxhin e futbollit”, që ka arritur kualifikim sensacional, për herë të parë në një turne të tillë, duke zënë vendin e dytë në grupin kualifikues, pas Portugalisë.

Ndeshja e fundit mes Austrisë dhe Shqipërisë është luajtur para gati 30 vitesh dhe ka përfunduar 1-0, me fitoren tonë larg, në Tiranë. Në një total prej pesë takimesh mes dy vendeve, janë regjistruar pesë fitore austriake.

Por jo vetëm politikisht, kushtet në Shqipëri kanë ndryshuar rrënjësisht. Sot, ekipi kombëtar shqiptar i futbollit mbijeton kryesisht nga legjionarët, shumica e të cilëve nuk kanë lindur në Shqipëri. Për shkak se gati një milion shqiptarë e kanë lënë vendin e tyre pas përfundimit të diktaturës komuniste, në fillim të viteve 90-të të mijëvjeçarit të fundit, diaspora shqiptare është zgjeruar ndjeshëm. Ky migrim masiv është reflektuar edhe në ekipin aktual kombëtar të futbollit të shtetit të vogël të Ballkanit Perëndimor.

Me pak përjashtime, lojtarët e kombëtares shqiptare janë kryesisht të lindur në vende të huaja. Ata u rritën në Gjermani dhe Zvicër, i kanë marrë atje të dhënat themelore të futbollit. Ka nga ata që kanë bërë zgjedhje të ndryshme. Rasti i vëllezërve “Xhaka” është pikant. Në mes të vendit të të parëve të tyre dhe shtëpisë së re Graniti dhe Taulanti janë ndarë më dysh. Duke pasur dy kombësi, zvicerano-shqiptare, Taulanti luan në “Euro 2016” për Shqipërinë, Granit, vëllai më i ri, përfaqëson Zvicrën.

Shorti i fazës finale të “Euro 2016” e vendosi Shqipërinë në Grupin 1, duke përvijuar kështu një “betejë vëllezërish”, sepse aty ra edhe Zvicra. Po ashtu, Rumania dhe vendi organizator i këtij Europiani, Franca. Shqipëria është kualifikuar për herë të parë në finalet e një Kampionati Europian dhe kjo është ndoshta një ndjesi e madhe, ashtu si për debutues të tjerë; Islanda apo Irlanda e Veriut.

Nga ana tjetër, të gjithë lojtarët e nivelit të lartë aktualë të kombëtares shqiptare, janë të shpërndarë në të gjithë Evropën. Ata janë trajnuar në kombëtare nga italiani Gianni De Biasi, i cili ka drejtuar ekipe edhe në Seria A. Ky sukses nuk është rastësi. Për tifozët mesatarë të futbollit shqiptar, Italia është masa e të gjitha gjërave. Detyrat e De Biasit ishte, gjithashtu, përfshirja e talenteve nga e gjithë Europa, që Shqipëria i ka jo me pakicë për shkak të origjinës së prindërve të tyre.

Megjithatë, Federata Shqiptare e Futbollit dhe De Biasi po përpiqen, për shembull, të afrojnë lojtarë të tjerë, si Donis Avdijaj, talenti 19-vjeçar, që deri verën e kaluar luante te Schalke 04, por tashmë është huazuar te Sturm Graz. Avdijaj ka lindur në Osnabrück.

Një “pranverë” të dytë po dëshmon edhe 32-vjeçari, që ka luajtur në Austri, i mirënjohuri Hamdi Salihi. Për pesë vjet, 2007-2012, shqiptari ishte një nga golashënuesit më të suksesshëm në Bundesligën Austriake, për herë të parë te Riedi dhe pastaj te Rapidi. Në 149 lojëra në Bundesliga (austriake), Salihi shënoi një total prej 70 golash, 26 prej tyre vetëm në sezonin 2010-2011, për Rapidin. Shqipëria, “ekipi i fëmijëve refugjatë”, është për Austrinë, në çdo rast, një test serioz, në rrugën për në “Euro 2016”, në Francë.”