Roma vazhdon të mbetet në vorbullën e polemikave dhe këtë herë ka ardhur edhe një dorëheqje e papritur, e gjitha për shkak të ish-kapitenit Françesko Toti dhe autobiografisë së tij që ka dalë në treg.

Në të ka një pasazh ku ish-numri 10, tashmë drejtues i zonës sportive në klubin e kryeqytetit, nënvizohet se ka qenë pikërisht Franko Baldini, ish-krahu i djathtë i presidentit Xhejms Palota, ai që kishte kërkuar me forcë që Toti t’i jepte fund futbollit, të paktën në skuadrën e Romës.

Dhe duke qenë se Toti as që donte të vishte një tjetër fanellë në jetën e tij, ai vendosi që të paralajmëronte lamtumirën nga futbolli, jashtë dëshirës së tij me sa duket, duke parë se kishte një rival si Baldini në rangjet drejtuese.

Kaq mjaftoi dhe pas Totit, edhe Baldini është detyruar të japë dorëheqjen, duke nënvizuar: “Përderisa kapiteni i Romës e ka thënë këtë, është e kotë që unë të them versionin tim. Askush nuk do ta besojë”.