Rreth orës 14:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në një pikë karburanti, është përfshirë nga flakët një automjet që transportonte karburant.

“Për pasojë janë lënduar shtetasit Xh.K., 20 vjeç, banues në Kamëz dhe shtetasi E.P., rreth 35-vjeç, (të dy punonjës të karburantit), të cilët janë trasportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve zjarrfikëse dhe Policisë ka izoluar flakët duke shmangur përfshirjen nga zjarri të çisternave me karburant”,- njofton përmes një njoftimi për shtyp policia e Durrësit.

Shërbimet e Policisë evakuan në kohë, personat e tjerë që ndodheshin rreth zonës në rrezik.

Zjarri është shuar tërësisht dhe lëvizja e mjeteve në të dy krahët e autostradës po vijon normalisht.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.