TIRANË, 07 mars 2013 – Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar në lidhje me incidentin e heqjes së licencave së 22 kompanive shqiptare të autobusave që mbulonin deri disa ditë më parë linjat me Greqinë. 

“Siç është bërë e ditur Greqia ka pezulluar licencat për kompanitë shqiptare që operojnë në linjat e autobusëve drejt qyteteve të saj, me një pretekst shkurtimi afatesh. Siç reagojnë kompanitë shqiptare kjo masë e njëanshme e autoriteteve greke do të ketë shumë pasoja negative jo vetëm për kompanitë tona, të cilat kishin investuar në bazë të licencave të vjetra disa vjeçare. Kompanitë paralajmërojnë se çmimi i biletave për udhëtarët tanë do të njohë rritje të konsiderueshme, dhe do të shtohen vështirësitë e lëvizjes së tyre në territorin grek. Biznesi i udhëtimit drejt Greqisë, në kushtet kur emigrantët tanë drejt vendit fqinjë preferojnë autobusin në vend të mjeteve të tjera, është një biznes shumë i fuqishëm. Duket se autoritetet greke kanë vendosur të favorizojnë kompanitë e tyre nëpërmjet një mase administrative”,- në reagimin e PDIU-së.

PDIU kërkon nga qeveria shqiptare që të reagojë në mbrojtje të interesave të kompanive dhe të udhëtarëve shqiptarë,

“Nëse qeveria greke nuk pranon të rishikojë drejtësisht vendimin e vet, atëherë ajo duhet të aplikojë reciprocitet ndaj kompanive greke brenda rrethanave në të cilën operojnë ato. Ky hap është minimumi që duhet të bëjmë për të ruajtur jo vetëm interesat e kompanive tona, por dhe dinjitetin tonë kombëtar dhe shtetëror.”- thuhet në deklaratën e kësaj partie.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/