SHBA, 11 prill 2014 – Një tragjedi ka ndodhur në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një autobuz që po transportonte nxënës të një liceu të Los Anxhelesit është përplasur me një kamion të shërbimit postar Fed Ex. 

Të vdekur kanë mbetur të paktën 9 studentë, që po shkonin për të vizituar një tjetër institut arsimor. Sipas medieve amerikane, të paktën 5 nxënës janë dërguar në spital, ndërkohë që 32 mendohet se kanë mbetur të plagosur.  

Pamjet nga vendi i ngjarjes, pranë lokalitetit Orland, në afërsi të Sakramentos, kanë qenë shokuese. Si pasojë e përplasjes së dhunshme dy automjetet kanë marrë zjarr dhe shumë studentë kanë mbetur të bllokuar. 

Nga rindërtimi i parë i ngjarjes rezulton se shkak i aksidentit është bërë kamioni i shërbimit postar, që thuhet se ka dalë papritur në korsinë e kundërt duke shkaktuar një përplasje ballore me autobuzin që transportonte 46 studentë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/