14gusht 2015 – Trotuaret e Durrësit janë të qetë vetëm paradite, ndërsa në mbrëmje kalimi mbi to paraqet vështirësi të panumërta. Bulevardi “Dyrrah”, i cili u konceptua tre vjet më parë me hapësira të gjëra për kalimtarët, deri në 7 metra në secilin krah, e ka zgjidhur problemin e bashkëjetesës së tavolinave të lokaleve me kalimtarët e shumtë. Mes tyre ka hapësira të mjaftueshme edhe për klientët, edhe për qytetarët që lëvizin në këmbë.
Situata është krejtësisht tjetër në bulevardin “Epidamn”, të cilin durrsakët e njohin më së shumti me emrin rruga “Tregtare”. Kalimtarët vendas dhe të huaj duhet të gjarpërojnë mes dhjetëra pengesash, të cilat në mbrëmje 3-4-fishohen nga qarkullimi i automjeteve në bulevard. Nga godina e bashkisë deri në afërsi të portit, në të dy anët e rrugës, trotuarët e ngushtë janë zënë krejtësisht nga tavolinat e bareve dhe nga mallrat që tregtohen pranë dyqaneve.
Ndërsa në Tiranë këto ditë ka shumë diskutime rreth një situate të ngjashme, në Durrës duket se të gjitha palët e kanë pranuar këtë realitet.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





