Tiranë, 25 gusht 2014  – Të gjithë ata që qarkullojnë me një automjet të sjellë nga jashtë pa procedura zhdoganimi dhe që i ka kaluar afati 6-mujor që tolerohet nga Regjimi i Lejimit të Përkohshëm, do të përballen me sanksione.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nxjerrë një udhëzim, i cili hyn në fuqi më datë 1 shtator dhe synon të disiplinojë gjithë kaosin e shkaktuar nga makinat e futura pa kriter. Ky udhëzim vjen pas kontrolleve të ndërmarra gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti edhe në bashkëpunim me Crown Agents, ku janë vënë re abuzime.

Udhëzimi

Në një njoftim të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave thuhet se Regjimi i Lejimit të Përkohshëm të Automjeteve ka shërbyer si një mënyrë abuzive për të futur makina, të cilat janë destinuar për shtije. Në këto kushte, që nga data 1 shtator do të hyjë në fuqi udhëzimi, i cili qartëson procedurat që duhet të ndiqen nga ata që fusin një makinë në vend si dhe për masat ndaj atyre që abuzojnë me këtë pjesë. Në udhëzimin e Doganave bëhet e qartë se qytetarët që kanë një automjet duhet të paraqiten për të kryer të gjitha procedurat përkatëse, në të kundërt do të përballen me gjoba dhe pagesën e gjithë detyrimeve që nuk kanë bërë në kohën që kanë qarkulluar me këtë mjet. Këto makina janë të pasiguruara në shumicën e rasteve dhe nuk kanë paguar asnjë taksë, sipas Doganave.

Një mjet quhet se ka shkelur regjimin kur ka gjashtë muaj brenda territorit të vendit, mund të jetë shitur te një person i dytë brenda këtij afati apo kur përdoret për shërbime me pagesë. Në të gjitha këto raste duhet të merren masa për të zhdoganuar mjetin në mënyrë që të mos aplikohen gjobat që variojnë nga 50 mijë në 200 mijë lekë. Për rastet e tejkalimit të afatit të regjimit nga ana e autoriteteve do të aplikohet gjobë në masën 100 për qind të vlerës së detyrimeve dhe pagesave që janë pezulluar me hyrjen e mjetit në regjim, pra detyrimet e importit.

Kontrollet

Doganat deklarojnë se prej muajit shkurt të këtij viti, grupet e përbashkëta operative me Crown Agents kanë ndërmarrë një numër të madh kontrollesh në ambientet e shitësve të makinave të përdorura, varrezave të makinave, si dhe të personave fizikë. “Në 6 muajt e fundit këto grupe të përbashkëta operative kanë bllokuar rreth 400 automjete, të cilat kishin hyrë në Shqipëri nën Regjimin e Përkohshëm të Automjeteve dhe nuk ishin larguar kurrë prej vendit. Përveç mbledhjes së detyrimeve doganore, Doganat kanë mundur të mbledhin një shumë të konsiderueshme të ardhurash nga gjobat që janë vënë në secilin rast”, thuhet në njoftim. Masat e marra në këtë udhëtim pritet që të rregullojnë situatën në vend sa i përket Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të Automjeteve.

/gazeta “Panorama”/