Një fëmijë i mitur ka rrezikuar përplasjen me një automjet që po lëvizte me shpejtësi në bulevardin “Dyrrah”, vetëm pak minuta më parë.
Ankthi i familjarëve të vogëlushit, por dhe dhjetëra kalimtarëve dhe dëshmitarëve në vendngjarje ka qenë i madh.
Në fotot dhe pamjet filmike që po sjell “DurrësLajm” nga vendngjarja vihet re prezencë e shtuar e efektivëve të Policisë Rrugore, të cilët po marrin dëshmitë e të pranishmëve. Sipas burimeve zyrtare të policisë Durrës, vogëlushi ka shpëtuar pa dëmtime, ndërkohë që automjeti që po e përshkonte rrugën me shpejtësi të lartë është larguar menjëherë.
Në jo pak raste, bulevardi “Dyrrah”, por edhe ai “Epidamn” përshkohen nga drejtues të papërgjegjshëm mjetesh me shpejtësi tej normave të lejuara.
Mëngjesin e sotëm, opinion publik u trondit nga aksidenti i frikshëm që u regjistruar në aksin Vlorë-Levan, ku një familje me 4 anëtarë humbi jetën pasi u godir nga pas nga një mjet “Audi” luksoz që po lëvizte me shpejtësi skëterrë.
Eduart Gushi 44 vjeç, bashkëshortja e tij Silvana 33 vjeçe dhe dy vajzat e çiftit, Anastasia dhe Eva, 14 dhe 9 vjeç u shuan në aksidentin tragjik të kësaj të premteje.
Familja sapo ishte kthyer nga Greqia dhe ishte duke shkuar me pushime në bregdet, kur makina e tyre u përplas nga Audi, në timonin e së cilës ndodhej 22-vjeçari Igli Madani. Ky i fundit u arrestua nga policia.





