Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në Durrës.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, një automjet që po lëvizte me shpejtësi të madhe, ka dalë nga rruga për të përfunduar në kanalin e ujërave të zeza.
Përplasja ka ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë, kur drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin tip “Seat”.
Sikundër duket në pamjet, që operatori Denis Simaku sjell për “DurrësLajm”, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë tre pasagjerët e bllokuar.
Autoritetet konfirmojnë se tre të plagosurit, identitetet e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur, kanë pësuar lëndime të lehta dhe ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.